Krimi kibernetik te ATM-t

0
1409

Krimi kibernetik te ATM-t

Kujdes! Disa këshilla të thjeshta si të ruani, që karta juaj të mos klonohet dhe paratë tuaja të mos vidhen.

Krimi kibernetik tenton të jetë gjithmonë një hap përpara teknologjisë që shfrytëzohet për pagesat online, tërheqjet cash apo pagesat në pikat e shitjeve. Ndërkohë që siguria e pagesave online dhe ato në pikat e shitjeve janë një temë shumë e gjerë që kërkon hapësirën e vet të diskutimit, në këtë artikull po trajtojmë vetëm sigurinë fizike të ATM-ve dhe ruajtjen nga metodat e vjedhjes së informacionit të kartave të klientëve dhe kodit PIN.

Sipas të dhënave të Skuadrës Europiane për Sigurinë ATM (EAST) botuar në IBS Intelligence, sulmet me eksploziv ndaj ATM-ve në rajonin e Europës janë rritur me 80% në gjashtëmujorin e parë të 2016 krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2015. Janë raportuar rreth 492 raste sulmesh të tilla krahasuar me 273 në vitin 2015. Ndërkohë që shumica e rasteve kanë qenë sulme me gaz eksploziv, në 110 raste shpërthimi është shkaktuar nga eksploziv i ngurtë.

Megjithatë, sulmet me eksploziv apo ato fizike ndaj ATM-ve janë vetëm një pjesë e sulmeve që shkaktojnë humbje si për Bankat, ashtu edhe për klientët. Sulmet “e heshtura” përmes “skimming” (vjedhjes së të dhënave të kartës dhe PIN) janë ato më të përhapurat dhe shkaktojnë impakt financiar, por edhe induktojnë një ndjesi frike dhe mosbesimi te klientët në lidhje me shfrytëzimin e kartave, ATM-ve dhe POS. Si mund të dallohet një ATM në të cilin janë vendosur “skimming devices”?

Për një klient të zakonshëm nuk është e lehtë të dallojë ndryshimet në pamjen e komponentëve të ATM-së. Duke konsideruar faktin që ATM-të në tregun shqiptar dhe atë ndërkombëtar janë të markave të ndryshme dhe të versioneve të ndryshme, për klientët është disi e vështirë të konstatojnë ndryshimet që mund të pësojë një ATM kur në të vendosen pajisjet përgjuese (skimming devices). Këto të fundit janë gjithmonë e më tepër pothuajse të padallueshme nga pjesët origjinale të vetë ATM-së.

Tastiera përgjuese që mbivendoset në tastierën e ATM-së nuk ka pothuaj asnjë ndryshim me këtë të fundit. Ajo mbledh të dhënat e PIN-eve të kartave të klientëve dhe ia transmeton ato keqbërësit. Vetëm stafi i kualifikuar, që njeh ATM-në, mund të vërë re ndryshimet e menjëhershme në komponentët e saj.
Një tjetër komponent që mund të mbivendoset si një pajisje përgjuese është lexuesi i kartës (card reader).

Për një staf të kualifikuar nuk është e vështirë të dallohet ndryshimi i dritës që shkakton mbivendosja e pajisjes përgjuese në lexuesin e kartës dhe ndryshimi në mënyrën se si lexuesi tërheq kartën në fole.

Si të mbrohemi nga këto pajisje përgjuese?

Mbrojtja e terminaleve ATM dhe mbrojtja e klientëve nga përgjimi i të dhënave fillon me masat që merr Banka për të parandaluar fenomene të tilla. Pozicionimi i ATM-ve në një ambient të mbrojtur, mbikëqyrja me kamerat e sigurisë dhe ndjekja e proceseve në ATM me kamera që regjistrojnë veprimin e klientit janë hapi i parë që tenton të minimizojë sulmet fizike dhe vendosjen e pajisjeve përgjuese në ATM. Për të shmangur përgjimin e kodit PIN përmes kamerave, prodhuesit e ATM-ve kanë hedhur në treg aksesorë që mundësojnë mbulimin e pamjes gjatë kohës së shtypjes së kodit PIN në tastierë. Në mungesë të tyre, përdoruesit këshillohen të mbulojnë tastierën me njërën dorë, ndërkohë që me dorën tjetër shtypin kodin PIN.

Burimi Monitor.al

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here