Ky është një version i zgjeruar i një ese-je të shkruar fillimisht për Këshillin Kombëtar të Inteligjencës.
Kompjuterat u shpikën për të rritur performancën njerëzore. Ato janë mjete të fuqishme, por edhe pse shpejtësia e përpunimit rritet dhe algoritmet bëhen më të sofistikuara, këto makina ende nuk mund të “mendojnë”. Përfundimisht kjo do të ndryshojë. Një grup shkencëtarësh të shquar dhe figurash publike nënshkruan një letër të hapur, duke paralajmëruar për rreziqet e këtij momenti. Një shkencëtar i famshëm paralajmëroi se “Zhvillimi i plotë i inteligjencës artificiale, mund të shënonte fundin e racës njerëzore”.
Kjo lloj frike nuk është e re. Viti 1920 pa dramën e parë ku robotët e këqinj morën në dorë botën. Një grup i shquar shkencëtarësh, paralajmëroi Presidentin Johnson në vitin 1964 se “cybernation” (bashkimi i kompjuterizimit dhe automatizimit) do të shkatërronte vendet e punës dhe do të krijonte varfëri në shkallë të gjerë. Megjithatë, ende robotët nuk po e sundojnë botën dhe pesëdhjetë vitet e automatizimit kompjuterik nuk i kanë bërë amerikanët më të varfër.
Në vitin 1957, John Von Neumann, një shkencëtar pioner kompjuterash dhe një nga shpikësit e armëve bërthamore, shkruajti për “The Singularity”. Përkufizimi i Von Neumann për “Singularity” thotë se ai është momenti përtej të cilit “progresi teknologjik do të bëhet në mënyrë të pakuptueshme shumë i shpejtë dhe i komplikuar.” Disa do të thoshin se kjo pikë tashmë është arritur, por “Singularity” ka nënkuptuar momentin kur kompjuterët do arrijnë inteligjencë më të madhe se njerëzit. Të gjithë e kemi parë filmin “Terminator”. Në ato seri, Skynet ishte armiku imagjinar, një rrjet kompjuterik i projektuar për mbrojtjen strategjike, që “zgjohet” dhe bëhet një entitet inteligjent, duke përdorur kontrollin e tij autonom mbi armët, për të sunduar mbi njerëzit.
Skynet është një imitim i “Singularity” dhe, ndoshta, është treguesi i ndryshimeve të mëdha në kulturën amerikane që skenat tij përtej argëtimit janë kthyer në çështje për debate serioze. Kultura jonë i pëlqen fabulat e frikshme, por ato janë çorientuese. Historia të cilës i frikësohemi në lidhje me IA (inteligjenca artificiale) është se sistemet autonome do të konkurrojnë, sundojnë dhe zëvendësojnë njerëzit. Pika kryesore për frikën apokaliptike është “roboti vrasës”, pajisje vdekjeprurëse dhe autonome që mund të përdoren për luftime. Sinqerisht, në qoftë se zgjedhja është midis njerëzve dhe robotëve për ti dërguar në luftime, roboti është zgjedhja më e mirë. Zgjedhja më e mirë do të ishte që të mos kishte luftë, një zgjidhje fisnike por fatkeqësisht e pamundur.
Pajisjet autonome nuk janë veçse një iluzion. Një i ftuar në Konferencën e Katërt Botërore të Internetit në Kinë tha: “Ne nuk duam që algoritmet të marrin në dorë botën”. Folësi nuk ishte kinez – kinezët ruajnë një optimizëm për progresin e mundshëm përmes teknologjisë të cilin jo gjithmonë e gjen në Shtetet e Bashkuara – gjithsesi ai ishte i gabuar. Algoritmet janë shkruar nga njerëzit dhe janë njerëzit që do të vendosin se çfarë do të bëjnë dhe si do ti përdorin.
Frika e përmendur shpesh se IA dhe autonomia e pajisjeve do të zvogëlojnë me ¼-tën vendet e punës në SHBA si p.sh rasti i zëvedësimit të shoferëve, është shembulli më i mirë i këtij keqkuptimi kryesor. Efekti që do të ketë IA dhe vendim-marrja autonome e automjete, do të jetë zvogëlimi i numrit të aksidenteve dhe rritja e efiçiencës së karburantit duke zvogëluar gabimet e shoferit. Autonomia e plotë është shumë larg dhe futja e saj do të jetë graduale. Mosha mesatare e kamionëve dhe makinave në rrugët e SHBA është 12 vjet. Edhe nëse automjetet plotësisht autonome do të jenë në dispozicion nesër, do duhet edhe një dekadë, para se të përbëjnë shumicën e makinave në rrugë.
Automatizimi industrial filloi shekuj më parë dhe çdo fazë ka sjellë më shumë pasuri dhe më shumë vende pune. A do të jetë ndryshe faza e automatizimit të IA? Frikërat se makineritë shkatërrojnë vendet e punës kanë shoqëruar teknologjitë e reja që nga fillimi i revolucionit industrial dhe çdo herë është provuar që kanë qenë gabim. Teknologjitë e reja eliminojnë disa punë, por krijojnë punë të tjera. Për shembull, kompanitë e mëdha dikur kishin zyra “kompjuteri”. Dhjetëra njerëz u ulën në këto zyra para këtyre makinave, duke përpunuar numrat me dorë. Këto ishin punë të mira të “jakave të bardha” derisa kompjuterët mainframe i zëvendësuan ato. Nëse historia se “teknologjia vret vendet e punës” do të ishte e vërtetë, Manhattan do të ishte i mbushur me endackë të veshur me kostume të grisura që do të mbanin tabela që shkruanin: “Bëjmë llogaritje për ushqim”. Sikurse rrugët nuk janë të mbushura me teknikë ashensorësh të papunë. Teknologjitë e reja eliminojnë disa punë, por krijojnë të tjera. Efekti i përgjithshëm është që shoqëritë të pasurohen dhe ndryshimi teknologjik është burimi i vetëm i rritjes së të ardhurave për ekonomitë e zhvilluara si Shtetet e Bashkuara. Këto histori nënvlerësojnë zgjuarsinë njerëzore, zgjuarsi jo vetëm për të krijuar pajisje autonome, por dhe për t’i kontrolluar ato. IA është një mjet. Automatizimi i drejtuar nga IA i bën njerëzit më produktive dhe shoqëritë më të pasura (se si shoqëritë zgjedhin të ndajnë këtë pasuri në rritje është një çështje tjetër dhe, më shumë është një problem për SHBA-të dorështrënguar sesa për shumë vende të tjera të zhvilluara). Automatizimi është rruga më e mirë, në raport me “kurthin e produktivitetit” që ka kapur ekonominë amerikane. Inovacioni, me IA si udhëheqëse, është burimi më i mirë për rritjen në të ardhmen. Çfarë ndodh kur çdo fëmijë mban Ajnshtajnin në xhepin e tij dhe ka një ndihmës si IA për t’a ndihmuar të mësojë? Presioni mbi edukimin në moshën industriale do të jetë i jashtëzakonshëm, por ky është fillimi i një epoke të re të dijes njerëzore. IA nënkupton më pak gabime, çmime më të ulëta dhe produkte më të mira. IA do të krijojë një botë që është më e shpejtë, më efikase dhe më e mençur.
Por e kaluara, siç thonë, jo gjithmonë parashikon të ardhmen. Edhe nëse precedenti i automatizimit në kaluarën është i gabuar këtë herë, ata që argumentojnë se IA është ndryshe, pranojnë se frika e tyre nuk do të përmbushet për dekada. Problemi i tanishëm nuk janë robotët vrasës apo shoferët e papunë, por si do të edukojmë njerëzit që të jenë produktivë në një ekonomi të inteligjencës artificiale, se si të investojmë në kërkime për drejtimin e IA-s dhe si të shpërndajmë pasurinë shtesë që krijohet nga IA.
Frika mbi IA ka më shumë gjasa të përfaqësojë pështjellimin e pashmangshëm social të krijuar nga teknologjitë dixhitale. Kur Gutenberg krijoi shtypshkronjën e lëvizëshme, ai ndryshoi mënyrën se si njerëzit mendonin dhe vepronin, duke dobësuar bindjen tek institucionet dhe autoritetet. Ky “Revolucion i parë i dijes” çoi në shekuj me trazira. Teknologjitë dixhitale kanë të njëjtin rezultat, por me një ritëm më të shpejtë dhe me një efekt më të gjerë. Ato po transformojnë shoqërinë, biznesin dhe politikat, në atë mënyrë që mund të përdorim shprehjen e Von Neumann, ” pakuptueshmërisht shumë të shpejta dhe të komplikuara “. Ky është paradoksi i frikës për IA. Me dizajnin e duhur, IA do të na japë mjetet për të çarë përmes mjegullës, dhe do të na lejojë të menaxhojmë dhe të përfitojmë nga ky pështjellim i ri.
James Andrew Lewis është zëvendëspresident i lartë në Qendrën për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare në Uashington, D.C.
Përshtatur nga CyberNews.al / Marrë nga CSIS












