Sipas drejtorit të një firme sigurie, hakera shumë të aftë të Republikës Popullore Demokratike të Koresë (RPDK) mund të sulmojnë sektorin financiar të SHBA-ve për të penguar veprimet ushtarake kundër regjimit në Korenë e Veriut.
Sipas bashkë-themeluesit të firmës së sigurisë së informacionit që hetoi piratimin e kompjuterave të Komitetit Kombëtar të Partisë Demokratike në zgjedhjet e 2016-ës, Koreja e Veriut përbën një kërcënim më të madh sesa Rusia për sulme kibernetike në shkallë të gjerë.
Duke folur për gazetën Guardian, Dmitri Alperovitch i Crowdstrike tha: “Në vitin 2018, shqetësimi im më i madh në të vërtetë është Koreja e Veriut. Unë shqetësohem shumë se ata mund të bëjnë një sulm shkatërrues, ndoshta kundër sektorit tonë financiar, në një përpjekje për të penguar një goditje të mundshme të SHBA-ve, kundër objekteve të tyre bërthamore apo edhe vetë regjimit.
“Pavarësisht nëse një ndërhyrje ushtarake është me të vërtetë në plan ose jo, ajo që ka rëndësi është nëse ata mendojnë se mund të ndodhë vërtet. Dhe duke marrë në konsideratë të gjithë retorikën e vitit të fundit, nuk do të ishte e paarsyeshme që ta pranonin se mund të ndodhë dicka “.
Koreja e Veriut është implikuar në një numër të madh sulmesh kibernetike përgjatë viteve të fundit, të cilat kanë pasur në shenjestër kryesisht Korenë e Jugut. Ata arritën majat në 2017, kur “Grupi Lazarus”, një njësi elitë e hakerëve të Koresë së Veriut, besohet se krijoi dhe shpërndau ‘WannaCry ransomworm’. Ky malware u përhap me shpejtësi, duke bllokuar ose nxjerrë jashtë pune sistemet e IT në mbarë botën dhe duke detyruar një numër të organizatave të Shërbimit Kombëtar Shëndetsor (NHS) në Mbretërinë e Bashkuar të mbylleshin përkohësisht, derisa u ç’aktivizua nga një studiues i ri Britanik në fushën e sigurisë.
Alperovitch foli përpara publikimit të “raportit vjetor mbi kërcënimet” të Crowdstrike, i cili vlerëson gjendjen e industrisë së piraterisë. Sipas këtij raporti, gjatë vitit të kaluar, “jo vetëm që vëllimi dhe intensiteti i sulmeve kibernetike arritën nivele të reja, por niveli i përgjithshëm i sofistikimit në të gjithë peizazhin e kërcënimeve globale përjetoi një rritje meteorike”. Raporti sugjeron se në të ardhmen, nuk do të jenë thjesht qeveritë e shteteve që do të zotërojnë dhe përdorin mjetet më të dëmshme të piratimit: teknologjia e zhvilluar nga ushtritë më të forta të botës në mënyrë të pashmangshme do të bjerë në duart e grupeve kriminale dhe sulmuesve të tjerë.
Në vitin 2018, thotë raporti, “kundërshtarët me baza në RPDK ka gjasa të vazhdojnë aktivitetin kibernetik dashakeqës kundër subjekteve në Korenë e Jugut, Japoni dhe SHBA. Lidhjet në rrjet nëpërmjet mjeteve të aksesit në distancë mund të përdoren për të shpërndarë ‘wiper malware’ (programe dashakeqe që fshijë të dhënat e viktimës). Ky lloj shënjestrimi mund të përfaqësojë qasjen taktike të RPDK për të goditur me efekte shkatërruese infrastrukturën kritike të SHBA-ve në rast të një konflikti ushtarak”.
Përshtatur nga CyberNews.al / Marrë nga theguardian












