Që kur u shfaq për herë të parë në vitin 2009, Bitcoin ka shkaktuar kundërshti, konfuzion dhe frikë në të njëjtën kohë.
Bitcoin është monedha e parë dixhitale e decentralizuar e këtij lloji dhe nuk kërkon as një depo qendrore dhe as një administrator të vetëm. Ndërkohë që fondet e investimeve dhe bankat e shumta e kanë parë atë si një pasuri të fuqishme dhe kanë bërë investime të konsiderueshme, ajo gjithashtu është e njohur edhe si një mjet për mashtrimin dhe krimin e organizuar.
Megjithatë, për t’u shqetësuar është perceptimi i ngadaltë nga qeveritë, bankat dhe publiku, i faktit që monedha kriptografike mund të përdoret për qëllime terrorizmi. Në të vërtetë, lidhjet midis terrorizmit dhe krimit të organizuar kanë qenë shumë mirë të dokumentuara. Bitcoin është bërë monedha e mirënjohur e ‘dark web-it’ i cili shpesh përdoret për të blerë mallra ilegale online, si armët dhe droga. Megjithatë, pikëtakimi i Bitcoinit me ‘dark web-in’ për aktivitetet terroriste, ka qenë më pak i dokumentuar. Dëshmitë e pa faktuara sugjerojnë se terroristët po i përdorin të dyja, por nevojitet më shumë punë për të përcaktuar nëse grupet po përdorin një kombinim të Bitcoin dhe Dark Web për të financuar, planifikuar dhe kryer sulme terroriste. Kjo ka ngritur pyetjet nëse monedha kriptografike mundëson sjelljet e paligjshme.
Që vitin kaluar Bitcoin ka marrë kritika të zhurmëshme. Shefi Ekzekutiv i Goldman Sachs, Lloyd Blankfein, ka akuzuar Bitcoinin se është një “mjet për mashtrim”, duke pohuar se çmimi shumë i ndryshueshëm i saj në treg nuk është reflektim i një monedhe të vërtetë. Komentet e tij vijnë pasi CEO i JPMorgan Chase, Jamie Dimon, e etiketoi monedhën si një ‘mashtrim që është në pritje të shpërthejë.’
Për më tepër, Britania e Madhe dhe BE kanë shpallur qëllimin e tyre për të futur rregulla dhe masa të rrepta kundrejt monedhës kriptografike me frikën se ajo po përdoret për pastrimin e parave. Thesari i Mbretërisë së Bashkuar tashmë është duke planifikuar ta vendosë Bitcoin-in ti nënshtrohet legjislacionit financiar aktual kundër pastrimit të parave dhe kundër terrorizmit. Lidhja midis terrorizmit dhe Bitcoin-it është kontestuar dhe mbetet një fushë relativisht e panjohur e ndërgjegjësimit dhe kërkimit.
Disa figura, si David Carlisle i Royal United Services Institute, kanë argumentuar se kërcënimi duhet sheshuar proporcionalisht, duke paralajmëruar se reagimi i tepërt nga ana e qeverive do ta mbyste teknologjinë e re. Megjithatë, ka dëshmi se grupet terroriste tashmë e kanë shfrytëzuar Bitcoin-in. Monedha kriptografike është e përkryer për veprimtari të decentralizuar dhe anonime, duke u dhënë mbrojtjen e nevojshme terroristëve dhe duke e bërë ndjekjen e transaksioneve tepër të vështirë.
Në disa raste, terroristët kanë përdorur monedhën kriptografike për të zëvendësuar metodën tradicionale ‘hawala’, me anë të të cilës organizatat terroriste përdorin një ndërmjetës fizik dhe lokal për të transferuar paratë midis vendeve. Për më tepër, në Janar të 2017, militantët Islamikë dyshohet se përdorën Bitcoin për të financuar operacionet e tyre. Muxhahedinët Shura Council, një organizatë terroriste e cilësuar si e tillë nga SHBA në Rripin e Gazës, nisi një fushatë financimi të Bitcoin vitin e kaluar.
ISIS ka përdorur gjithashtu Bitcoin, duke postuar një reklamë në ‘dark web’ me adresën e vet të Bitcoin. Lidhja midis ‘dark web-it’ dhe Bitcoin-it, e propoganduar nga krimi i organizuar, ndoshta përbën kërcënimin më të madh. Njësoj si kriminelët e organizuar, organizatat terroriste mund të përdorin Bitcoin për të blerë në ‘dark web’një sërë armatimesh, duke përfshirë armë zjarri ose materiale për bomba, apo edhe pasaporta false. Një studim i RAND Europe, “Mbrapa Perdeve: Tregtimi i Paligjshëm i Armëve të Zjarrit, Eksplozivëve dhe Municioneve në Dark Web”, identifikoi 24 tregje kriptografike franceze dhe britanike në ‘dark web’, gjatë një periudhe një-javore të mbledhjes së të dhënave në Shtator 2016, ku 75 për qind e të cilave u gjetën të kishin lidhje me armët.
Kjo ilustron përhapjen e armëve që sigurohen nëpërmjet ‘dark web’. Media të ndryshme kanë raportuar një lidhje midis sulmeve terroriste të Parisit dhe Munit në vitin 2015, ku armët e përdorura nga autorët e sulmit të fundit, thuhet se lidhen me shitësit në ‘dark web’. Kjo është veçanërisht shqetësuese duke ditur që propaganda e ISIS ka bërë thirrje për sulme gjithnjë e më të thjeshta, duke përdorur automjete, armë zjarri dhe thika.
Megjithatë mund të debatohet që evidencat e deritanishme kanë mbetur në shkallë të gjërë të pa faktuara.
Nuk ka informacion të mjaftueshëm mbi masën e përdorimit të Bitcoin në ‘dark web’ dhe për çfarë qëllimi, përveçse nga kompanitë e respektuara duke përfshirë Microsoft, Expedia dhe Subway që pranojnë monedhën kriptografike si një formë të pagesës. Natyra e shpejtë, dinamike dhe evolucionare e terrorizmit në shekullin 21, kërkon detyrimisht një hetim të hollësishëm dhe të bashkërenduar mbi atë se si terroristët e përdorin Bitcoin-in dhe ‘dark web-in’ dhe se si lidhja e të dyjave, mund të ndihmojë grupet terroriste në financimin, planifikimin dhe kryerjen e sulmeve.
Nëse shtetet do të jenë në gjendje të reagojnë në mënyrë efektive ndaj terrorizmit, atëherë kjo kërkon hetime të mëtejshme për të parandaluar si financimin e terrorizmit edhe stilin gjithnjë e më të thjeshtë të sulmeve të inkurajuara nga grupet terroriste.
Përshtatur nga CyberNews.al / Marrë nga Rand












